Orakujt e Kampionateve Botërorë

Translated into Albanian (Original version)


E mbani mend oktapodin Pol? Ai ishte ylli i Kampionatit Botëror 2010,  me aftësinë për të parashikuar fituesin e ndeshjeve të Gjermanisë. Ai parashikoi gjithashtu dhe fituesin e finales. Karriera e tij filloi me Kampionatin Europian 2008, kur arriti të parashikonte saktë 11 nga 13 ndeshje. Ai zgjidhte midis dy kutive që përmbanin ushqim të shënuara me flamujt kombëtarë të skuadrave që luanin në çdo ndeshje. Fatkeqësisht, ai ngordhi në fund të vitit 2010.

Poli nuk ishte i vetmi. Deri dhe krokodili Harri e parashikoi fituesin e Kampionatit Botëror 2010. Madje, ai arriti të parashikonte rezultatet e dy fushatave të njëpasnjëshme zgjedhore federale në Australi. Megjithatë, ai nuk pati suksesin e oktapodit gjerman. As Mani, një papagall nga Singapori, i cili parashikoi fituesit e të gjitha ndeshjeve çerek-finale e gjysmë-finale të Kupës Botërore të vitit 2010, nuk arriti të bëhej aq i njohur, vetëm sepse nuk parashikoi me saktësi fituesin e ndeshjes finale midis Spanjës dhe Hollandës.

Që prej largimit të parakohshëm të Polit, ka pasur një konkurencë shumë të madhe për kurorën e tij. Gjatë Kampionatit Europian të vitit 2012, në garë për kurorën e tij ishin tre kafshë: Çita, një elefant indian që jeton në një kopsht zoologjik në Krakov të Polonisë. Fredi, qelbësi nga Ukraina, i cili mund të ndiqet në Twitter. Dhe së fundmi, Funtiku, derri fallxhor ukrainas, i aftë të parashikojë saktë 2 nga 3 ndeshje.

Kush do ta zërë  vendin e oktapodit Pol në Kupën e ardhshme Botërore? Mos ndoshta do të jetë papagalli i bekuar nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, që tani është shndërruar në një yll të transmetimeve publike kombëtare italiane? Apo Neli, elefanti gjerman që deri më sot ka parashikuar saktësisht 30 nga 33 ndeshjet në total? Dhe sigurisht, nuk duhen nënvlerësuar energjitë psiqike të këlyshit panda, që ka mbështetjen e plotë të medias shtetërore kineze.

Papagalli italian me emrin Amore (italisht "dashuri") do të japë parashikimin e tij duke zgjedhur flamurin e ekipit fitues në një fushë futbolli  në miniaturë. Neli parapëlqen të parashikojë fituesit duke shkelmuar një top drejt njërës prej rrjetave me flamujt e kombëtares së shteteve që do të ndeshen, përpara se të nisë loja. Kurse këlyshi Panda do të parashikojë rezultatin e ndeshjeve duke zgjedhur ushqimin nga kutitë e shënuara me flamujt e skuadrave gjatë ndeshjeve të tyre në grup dhe duke u ngjitur në një pemë, nga ku do të ngrejë një flamur në fazën e eliminatoreve.

A keni ju kafshë shtëpiake?
Do të mundte ai apo ajo të bënte më mirë ? Në ç'mënyrë?
Vërini një herë në provë!

by Elvana

19 Votes
#244 of #1440 in the World
#2 of #7 for Albanian



Go to the ranking page for Albanian

Can you translate better?

Join the challenge